hqipëria synon të përmbyllë edhe pesë kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2026. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë pjesëmarrjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Bruksel.
Rama u shpreh se pala shqiptare po vijon bashkëpunimin me Komisionin Europian dhe se tashmë pritet miratimi i institucioneve europiane për punën e kryer në lidhje me disa prej kapitujve të negociatave.
Sipas kryeministrit, procesi kërkon angazhim nga të dyja palët, ndërsa Shqipëria po ecën sipas planit të përcaktuar për integrimin europian.
Duke komentuar rëndësinë e samitit, Rama theksoi se zgjerimi i Bashkimit Europian duhet të marrë një shtysë të re dhe se vendet kandidate duhet të marrin sinjale të qarta për ecurinë e procesit, bazuar në meritat dhe përmbushjen e detyrimeve.
I pyetur për çështjen e korrupsionit dhe ndikimin e saj në procesin e integrimit, kreu i qeverisë deklaroi se lufta kundër korrupsionit është një prej elementeve që, sipas tij, e ka forcuar pozicionin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në BE.
Rama pretendoi se vendi ka shënuar ndryshime të rëndësishme në këtë drejtim, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se ky proces mbetet një angazhim i vazhdueshëm.



