Berisha për rënien e euros: Po dëmtohen eksportet, prodhimi dhe investimet në Shqipëri

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar zhvlerësimin e euros në raport me lekun, duke e cilësuar atë si një barrë të rëndë për ekonominë shqiptare, veçanërisht për sektorin e prodhimit dhe bizneset eksportuese.

Gjatë një tryeze të organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, Berisha u ndal te pasojat që, sipas tij, po sjell forcimi i monedhës vendase përballë euros dhe dollarit. Ai pretendoi se zhvlerësimi i monedhave të huaja në Shqipëri është ndër më të lartët në krahasim me vendet e tjera.

Duke iu referuar të dhënave që atribuoi Eurostatit, Berisha deklaroi se zhvlerësimi arrin në 33% për euron dhe 35% për dollarin. Ai krahasoi këto shifra me vende si Kolumbia dhe Meksika, ku sipas tij nivelet janë dukshëm më të ulëta.

Kreu i demokratëve solli në vëmendje edhe ecurinë e sektorit industrial, duke pretenduar se prodhimi industrial në Shqipëri ka pësuar rënie prej 15.3% gjatë pesë viteve të fundit. Ndërsa eksportet shqiptare, sipas shifrave të paraqitura prej tij, kanë rënë me 28% në periudhën 2022-2025.

Berisha theksoi se kjo situatë prek veçanërisht kompanitë eksportuese, të cilat kryejnë shpenzimet për paga dhe aktivitetin e tyre në lekë, ndërsa të ardhurat nga shitjet jashtë vendit i përfitojnë në euro. Sipas tij, rënia e vlerës së monedhës europiane redukton të ardhurat reale të këtyre bizneseve.

Ai paralajmëroi se pasojat mund të shtrihen edhe te investimet e huaja, duke e konsideruar zhvlerësimin e euros si një faktor që rëndon konkurrueshmërinë e prodhimit vendas dhe pengon zhvillimin industrial të vendit.

Në përfundim, Berisha e lidhi këtë fenomen me atë që opozita e cilëson si problematikën e qarkullimit të parave me origjinë kriminale në ekonomi, duke pretenduar se ky fenomen ndikon në tregun valutor dhe sjell pasoja për sektorët prodhues.

spot_img

KRYESORE

Newspaper WordPress Theme

LAJME TË TJERA