Selami Hasani ndodhej duke punuar në pjesën e jashtme të banesës së tij kur u qëllua për vdekje. Ngjarja mund të jetë e lidhur me konflikte të vjetra kriminale, të cilat kanë nisur që në fillim të viteve ’90 dhe që ndër vite mund të jenë kthyer në një cikël hakmarrjeje mes familjeve në Fier.
Viktima ishte liruar nga burgu vetëm rreth 20 ditë më parë, pasi kishte përfituar ulje të dënimit dhe nuk e kishte shlyer të plotë masën e tij.
Një tjetër element i përmendur është vrasja, 23 vite më parë në Fier, e nipit të Arben Isufajt, ngjarje që sipas dyshimeve të ngritura mund të ketë lidhje me atentatin e fundit.
Sa i përket autorëve, dyshohet se në krim kanë marrë pjesë dy persona, të cilët janë kapur nga kamerat e sigurisë me kapuçë të zinj në kokë. Pas atentatit, dy automjete dyshohet se janë djegur.
Ndërkohë, policia po vijon krehjen e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa, mes personave të parë të shoqëruar për verifikim janë edhe familjarë që dyshohet se ndodhen në konflikt me viktimën.



