Analisti Arben Meçe ka folur për zhvillimet më të fundit në Partinë Socialiste, duke ngritur pikëpyetje mbi lëvizjet që po ndodhin brenda saj. Sipas tij, në radhët e PS-së po zhvillohet një lëvizje e brendshme, të cilën e përshkroi si diversion të organizuar dhe që tashmë po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Meçe u shpreh se personat që qëndrojnë pas kësaj lëvizjeje janë tashmë të identifikuar, ndërsa vuri në dukje se ata janë aktivizuar në një periudhë kur partia po kalon vështirësi dhe po hyn në fazën e përgatitjeve elektorale.
Sa i përket garës së ardhshme zgjedhore, analisti tha se socialistët kanë nisur mobilizimin e strukturave dhe organizimin në terren, duke i kushtuar vëmendje të veçantë Tiranës.
Në këtë kontekst, ai komentoi edhe zërat për një tërheqje të mundshme të Edi Ramës, duke argumentuar se kjo mundësi është lënë pas dore, ndërsa palët politike po bëhen gati për zgjedhjet.
“Teza që ishte ‘do tërhiqet dhe Edi Rama nuk ka zgjedhje’ tashmë ka rënë, pasi edhe Berisha nga ana e tij po përgatitet për zgjedhje. PS në themel të vet ka organizimin dhe ka ndezur motorët, duke vënë në qendër të vëmendjes luftën elektorale në Tiranë. U dha mesazhi politik që nuk do të ketë dorëheqje dhe PS po përgatitet për fushatë”, u shpreh Arben Meçe.



