Aleksandar Vuçiç ka reaguar ndaj mundësisë së arrestimit të tij, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të pasohet nga protesta masive në Serbi. Kreu i grupit parlamentar “Serbia po fiton” deklaroi se, në rast se do të tentohej arrestimi i tij, do të niste një grevë urie dhe pretendoi se një milion qytetarë do të dilnin në rrugë.
Në një intervistë për televizionin serb Pink, Vuçiç u shpreh se nuk ka ndërmend të largohet nga politika dhe se nuk do të tërhiqet përballë presioneve apo zhvillimeve të fundit.
Ai komentoi gjithashtu qëndrimin e Listës Studentore, për të cilën tha se ka shumicën në Kuvendin e Serbisë, duke pretenduar se përfaqësuesit e saj janë të përqendruar te goditja e kundërshtarëve politikë.
Vuçiç përsëriti se nuk do të largohet nëse ndaj tij ndërmerret një përpjekje për arrestim, ndërsa paralajmërimin për grevë urie e shoqëroi me deklaratën se kjo mund të shkaktojë reagim të gjerë qytetar.
“Çfarë do të bëni atëherë me një milion njerëz në rrugë, në momentin që kjo të ndodhë? Unë nuk jam Marinika (Tepiç) apo Boško (Obradović), që të bëj shaka duke ngrënë ëmbëlsira në mbrëmje dhe fruta gjatë ditës. Për mua nuk ka asnjë problem. Ata menduan se do të ikja, se do të tërhiqesha”, deklaroi Vuçiç për televizionin Pink.



