BotaPolitico: Evropa mbetet jashtë tryezës së vendimmarrjes globale

Politico: Evropa mbetet jashtë tryezës së vendimmarrjes globale

Evropa po humbet gjithnjë e më shumë ndikimin e saj në diplomacinë ndërkombëtare, ndërsa fuqitë e mëdha duket se po marrin vendime për çështjet globale pa përfshirjen e saj. Kështu vlerëson Politico, në një analizë mbi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Takimi trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping, i zhvilluar javën e kaluar në Shenzhen, nxori në pah mungesën e rolit të Evropës në diskutimet mes fuqive të mëdha. Ndryshe nga takimet e mëparshme, këtë herë udhëheqësit evropianë nuk u konsultuan paraprakisht dhe as nuk u përfshinë në procesin diplomatik.

Situata ka rikthyer në vëmendje krahasimet me Konferencën e Jaltës, ku në vitin 1945 udhëheqësit e SHBA-së, Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë diskutuan rendin e ri botëror pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, ndryshe nga ajo periudhë, Evropa sot duket se po humbet edhe mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve që përcaktojnë të ardhmen e saj.

Kancelari gjerman Friedrich Merz reagoi ndaj këtij zhvillimi, duke theksuar se Evropa nuk do të lejojë që historia e Jaltës të përsëritet. Sipas tij, takimi në Shenzhen duket se kishte më shumë karakter simbolik sesa prodhoi rezultate konkrete.

Në të njëjtën linjë, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se samiti ishte më shumë një demonstrim imazhi dhe force sesa një takim që solli marrëveshje të rëndësishme. Megjithatë, deklaratat e përbashkëta të tre udhëheqësve për reformën e OKB-së, furnizimin me produkte të naftës dhe rolin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale kanë ngritur shqetësime në Evropë.

Sipas analistëve, këto zhvillime mund të shënojnë një largim të mëtejshëm nga rendi ndërkombëtar liberal i krijuar pas Luftës së Ftohtë, drejt një realiteti ku fuqitë e mëdha imponojnë interesat e tyre, ndërsa shtetet më të vogla dhe institucionet ndërkombëtare kanë gjithnjë e më pak ndikim.

Një tjetër tregues i këtij realiteti ishte edhe ndërhyrja telefonike e Trumpit në një takim të aleatëve evropianë të Ukrainës në Berlin, ku ai shprehu rezerva për mbështetjen e mëtejshme financiare ndaj Kievit, pas bisedimeve me Putinin.

Sipas ish-diplomatit Fredrik Weslau, Trump mund të jetë i gatshëm të diskutojë të ardhmen e Ukrainës pa praninë e vetë Ukrainës në tryezën e negociatave. Ai argumenton se presidenti amerikan duket më i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë sesa për çështjet e sigurisë evropiane.

Në përfundim, analiza e Politico-s thekson se Evropa po përballet me një realitet të ri gjeopolitik, ku ndikimi i saj në vendimmarrjen globale po zbehet dhe hendeku mes Brukselit dhe Uashingtonit rrezikon të thellohet më tej.

spot_img

KRYESORE

Newspaper WordPress Theme

LAJME TË TJERA

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme